Në bashkëpunim me Institutin Evropian të Administratës Publike, EIPA, dhe në kuadër të Programit të Asistencës Teknike nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Mbrojtjes, Tregtisë me Jashtë, dhe Bashkëpunimit për Zhvillim të Luksemburgut, Shkolla e Magjistraturës më datat 26 dhe 28 maj 2026, zhvilloi në formatin ONLINE aktivitetin trajnues me temë: “Drejtësia Digjitale në Bashkimin Evropian. Koncepte, terminologji dhe zhvillime rregullatore”.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertët: Ylli Pjetërnikaj, ekspert i Shkollës së Magjistraturës, Aleksandra Asscheman – lektore e lartë në të drejtën e biznesit dhe Dekane e Departamentit të të Drejtës së Biznesit në Universitetin e Hagës, dhe Dr. Cristina Mariottini – Lektore e të drejtës së BE, EIPA.
Ky trajnim: ofroi një pasqyrë të dixhitalizimit të drejtësisë në BE, duke eksploruar kornizat e saj ligjore, themelet teknologjike dhe drejtimin e politikave në zhvillim.
Ky seminar i mundësoi pjesëmarrësve të:
- Kuptonin prioritetet kryesore të BE-së në transformimin dixhital të drejtësisë;
- Fitonin një pasqyrë të përgjithshme të kornizave kryesore ligjore dhe institucionale për bashkëpunimin dixhital gjyqësor;
- Shqyrtonin ndikimin e teknologjive dixhitale në sistemet gjyqësore dhe procedurat ndërkufitare;
- Identifikonin sfidat dhe mundësitë kryesore, duke përfshirë implikimet për të drejtat themelore dhe
- mbrojtjet procedurale.
Metodologjia e trajnimit: Seminari kombinoi prezantimet e ekspertëve me sesione të bazuara në diskutime. Pjesëmarrësit shqyrtuan instrumentet përkatëse ligjore dhe politike të BE-së, dhe analizuan konceptet kryesore të përdorura në debatet aktuale mbi drejtësinë dixhitale dhe u angazhuan në diskutime të fokusuara që synouan forcimin e kuptimit dhe përdorimit të terminologjisë së specializuar.
Gjatë aktivitetit trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Kuptimi i peizazhit të drejtësisë dixhitale: Konteksti dhe perspektiva shqiptare;
- Dixhitalizimi i drejtësisë në BE: Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile, të konsumatorit dhe familjare;
- e-CODEX dhe ndërveprimi: Shtresa e infrastrukturës;
- Inteligjenca artificiale dhe sektori i drejtësisë;
- Platformat, tregjet dixhitale dhe ekosistemi rregullator më i gjerë;
- Teknologjitë Blockchain, DLT dhe besimi në drejtësi
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.



Shkolla e Magjistraturës